Premtimi i drejtuesve të Vllaznisë pak kohë më parë për të nisur bashkëpunim me ekipe të ndryshme, kryesisht në Azi, ka filluar të bëhet realitet.

Drejtori sportiv i saj Engin Firat mësohet të jetë aktualisht në Katar ku po viziton një nga Akademitë më të mëdha dhe më të mira në botë, atë “Aspire”, me të cilin është duke biseduar për të nisur bashkëpunimin.

Kjo gjë bëhet e ditur përmes faqes zyrtare të klubit Vllaznia në të cilën thuhet: “Drejtori sportiv I KF Vllaznia Engin Firat prej disa ditësh ndodhet në Katar. Ashtu siç ishte premtuar, klubi ynë ka nisur bashkëpunimin me disa klube dhe Akademi të ndryshme nëpër botë.

Njëra prej tyre është Akademia “Aspire” e Dohas, një nga më të mëdhatë dhe më të mirat në botë. Drejtori Firat zhvilloi takime me drejtuesit e kësaj Akademie për shkëmbimin e njohurive dhe po ashtu, u bisedua për të gjetur mënyrën e bashkëpunimit në mes Akademisë “Aspire” dhe Akademisë së KF Vllaznia”.
© shkodrasport.com