Festë e madhe sportive sonte në Shkodër. Vllaznia për meshkuj është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë.Pas finales së kupës për femra ku Flamurtari mundi 93-70 Tiranën dhe meritoi kupën, është zhvilluar një ceremoni shumë interesante, ajo e shpalljes së 10 sportistëve dhe 3 trajnerëve më të mirë të klubit Vllaznia për vitin 2013. Kjo ceremoni I ka lënë vendin pastaj finales së meshkujve. Pritej më shumë rivalitet por nuk ka ndodhur ashtu. Vllaznia ka dominuar në të gjitha drejtimet. Ajo ka fituar periodën e parë 30-15 dhe të dytën 37-23 duke zgjidhur gjithçka falë lojës së shkëlqyer të të gjithë skuadrës por kanë spikatur dyshja Sarajlija- Xhokoviç me saktësinë në gjuajtje.
Në dy periodat e fundit, trajneri Gjeçaj ka aktivizuar të gjithë stolin dhe rezultati ka ardhur duke u ngushtuar megjithatë në fund është fiksuar rezultati 105-88, çka kurorëzoi ekipin shkodran si fitues të Kupës. Para se presidenti Ponari t’I dorëzonte kupën kapitenit Berdica, janë nderuar me disa tituj mirënjohje disa ish- basketbollistë të njohur shkodranë në vite si Marije Rranzi, Artenca Tufi, Muhamet Sokoli, Asllan Gjyrezi, Dhimitër Thaçi dhe Marin Shestani. Momenti I dorëzimit të kupës është kthyer në një festë të vërtetë në pallatin e sportit të mbushur si asnjëherë tjetër teksa sonte nuk ka patur asnjë vend bosh as në këmbë për të qëndruar.Një festë e vërtetë të cilën kishim vite pa e përjetuar në Shkodër. Mbi 1 mijë tifozët e pranishëm sonte, natyrisht janë entuziasmuar shumë nga loja e zhvilluar dhe mbi të gjitha nga suksesi i djemve shkodranë të cilët kanë bërë “pronë” të tyre Kupën e Shqipërisë për të 11-tën herë.
www.shkodrasport.com