Ekipi I volejbollit të meshkujve të Vllaznisë ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen e kësaj jave. Ai ka luajtur në Tiranë ndaj Studentit, njëri prej ekipeve rivale për titullin kampion. Djemtë e trajnerit Artan Kalaja kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në këtë ndeshje me rezultatin 3-1. Në fakt ndeshja ka nisur më mirë për Studentin I cili e ka fituar setin e parë në shifrat 25-19. Humbja e këtij seti nuk I ka demoralizuar volejbollistët shkodranë të cilët në setin e dytë kanë arritur fitoren në shifrat 25-23.

Me barazimin e seteve, Vllaznia është shfaqur si dominuese në parketin e sallës sportive “Fahrije Hoti” ku është zhvilluar ndeshja. Ajo ka fituar edhe setin e tretë 25-21 dhe po ashtu edhe të katërtin, 25-22 dhe në këtë mënyrë edhe krejt ndeshjen me setet 3-1. Me këtë fitore, skuadra shkodrane është ngjitur në vendin e dytë në renditje pas Teutës së Durrësit duke u rikonfirmuar edhe njëherë si ekip pretendent për titullin kampion.

www.shkodrasport.com