Vllaznia ndonëse nuk konsiderohej favorite ka treguar vlerat e saj dhe është shpallur fituese e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit.

Në ndeshjen finale të luajtur mbrëmjen e sotme, ajo ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Partizanit dhe kësisoj djemtë e drejtuar nga trajneri Ermal Kraja kanë merituar trofeun e vënë nga Federata.

Partizani e ka nisur më mirë ndeshjen dhe për rrjedhojë udhëheq që në fillimin e saj dhe arrin ta fitojë pa shumë vështirësi setin e parë në shifrat 25-18.

Duket se Vllaznia do ta ketë të vështirë ta përballojë këtë kundërshtar por nuk është kështu. Në setin e dytë është ajo që luan më mrië dhe e fiton atë në shtesë me shifrat 29-27.

Një set që u jep besim kuqebluve të cilët udhëheqin edhe në të tretin 18-11 dhe e ruajnë epërsinë duke e fituar atë 25-23 dhe duke kaluar në avantazh me sete.

I katërti ndërkohë ka barazpeshë dhe është Partizani që mundohet të udhëheqë por Vllaznia reagon mjaft mirë duke arritur ta kthejë rezultatin në favor të saj nga 15-17 në 19-17. Një kthesë e tillë do iu jepte zemër shkodranëve që ndonëse edhe me lojtarë të rinj në përbërje treguan vlera dhe per rrjedhoje fituan kete set 25-20 dhe krejt ndeshjen 3-1 duke merituar edhe kupen.
www.shkodrasport.com