Vllaznia ka fituar me rezultatin 2-1 ndeshjen e parë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit në Vlorë duke hedhur një hap thuajse të sigurtë për kualifikimin në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.

Protagonisti kryesor I këtij suksesi ka qenë mesfushori Zinedin Mustedanagiç me dy golat e tij. Ekipi shkodran u fut në këtë ndeshje me 5 zëvendësime në formacion. Në minutat e para ishte Flamurtari shumë pranë golit me anë të Diamantit, por më pas Vllaznia mori në dorë frenat e lojës.

Në minutën e 26-të ka qenë mesfushori boshnjak Mustedanagiç që pas një aksioni të bukur, gjuan saktë brenda zone duke e dërguar topin në rrjetë. Me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë.

Në të dytën, trajneri Brdariç kryen sërish ndryshime, megjithatë loja e Vllaznisë nuk bie dhe madje shumë shpejt do të vinte edhe goli I dytë me të njëjtin autor, Mustedanagiç. Në minutën e 60-të ai do të gjuante tokazi dhe topi përfundoi përsëri në rrjetë. Me këtë gol u duk se ndeshja do të mbyllej, por nuk do të ndodhte kështu.

Në minutën e 74-të Flamurtari do të ngushtonte shifrat me anë të brazilianit De Souza duke bërë që vendasit të rihyjnë në lojë.

Në minutat e mbetura deri në fundin e takimit, të dy ekipet u përpoqën të shënojnë sërish, por nuk do të gjejnë sërish rrugën e rrjetës dhe në këtë mënyrë, I gjithë takimi do të mbyllej me fitoren 2-1 për Vllazninë.

Skuadra shkodrane në këtë mënyrë hedh një hap të sigurtë për kalimin në gjysmëfinale, por gjithçka do të vendoset në ndeshjen e 9 shkurtit në Shkodër.