Tjetër fitore në kampionat për Vllaznia U15, madje këtë herë me goleadë dhe për më shumë ndaj një ekipi të fortë si ai i Partizanit. Kuqeblutë kane fituar në Tiranë me rezultatin e thellë 6-0.

Një fitore që e ngjit ekipin shkodran në kuotën e 15 pikëve dhe tashmë mban vendin e parë bashkë me Tiranën që në fakt ka një ndeshje më pak të luajtur. Megjithatë kampionati që po bën Vllaznia U15 është shumë i mirë dhe padyshim që ajo do të jetë një nga ekipet pretendente për titullin kampion.

Këtë e konfirmoi edhe sot ndaj Partizanit. Ndonëse ndeshja luhej në kryeqytet, 15 vjeçarët shkodranë nuk u treguan për asnjë moment inferiorë por përkundrazi kanë dominuar në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit.

Në minutën e 21-të ka ardhur edhe goli i parë i ndeshjes shënuar nga Halili dhe tetë minuta më vonë do të ishte Kola që do të dyfishonte shifrat. Pjesa e parë do të mbyllej me një tjetër gol të Halilit dhe kësisoj ajo do të rregjistronte shifrat 3-0.

Në të dytëm ndërkohë Zaganjori ka shënuar golin e katërt ndërsa në minutat e fundit protagonist do të ishte futbollisti Qokthi. Ai ka shënuar të pestin me 11-metërsh ndërsa më pas edhe të dytin personal dhe të gjashtin për Vllaznia U15 që kësisoj ka fituar me rezultatin e thellë 6-0.