Pavarësisht humbjes ndaj Partizanit në debutimin e tij në pankinën e Vllazninë, trajneri Ernest Gjoka nuk kërkon të ndalet në punën e tij. Nga pasditja e së martës ai ka nisur punën për ndeshjen e rradhës që do të jetë po aq e vështirë sepse përballë do të ketë kampionët në fuqi të vendit, skuadrën e Kukësit. Njeriu që zëvendësoi Armando Cungun në pankinën kuqeblu ka besim se skuadra do ta kalojë momentin e vështirë që po kalon.

Gabime fatale në mbrojtje që shoqërohen me pësimin e golave dhe mungesa e konkludimit në sulm. Kjo ka bërë që situata të mos jetë shumë e qetë megjithatë trajneri Gjoka edhe nëpërmjet fjalëve motivuese kërkon t’u shprehë besimin futbollistëve të tij. Para stërvitjes të së martës, ekipi ka zhvilluar analizën e takimit me Partizanin dhe përgjithësisht stafi teknik e ka vlerësuar si një ndeshje të mirë pavarësisht rezultatit të arritur. Kjo bëhet e ditur nga vetë klubi shkodran në faqen e tij zyrtare:
Pas një dite pushimi, futbollistët e Vllaznisë i janë rikthyer sot sërish procesit stërvitor duke nisur përgatitjet për sfidën e kësaj jave me Kukësin. Para daljes në fushën e stërvitjes, ekipi ka zhvilluar analizën e ndeshjes së fundit me Partizanin. Në këtë analizë përveç futbollistëve dhe stafit teknik, kanë marrë pjesë edhe administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka. Trajneri Gjoka në fillim të fjalës së tij ka vlerësuar paraqitjen në këtë ndeshje dhe pavarësisht humbjes i ka kërkuar futbollistëve të mbajnë kokën lart sepse sipas tij, skuadra do të rikthehet në nivelin e duhur shumë shpejt. Ai u ka bërë të ditur lojtarëve të tij duke thënë se vetëm me personalitet, mund të kalohet kjo situatë. Pas trajnerit, kanë folur edhe drejtuesit e klubit të cilët kërkojnë angazhim maksimal për ndeshjen e rradhës duke patur si objektiv marrjen e pikëve në Kukës. Vllaznia vërtetë nuk ka patur rezultatet e duhura në këtë fillim-sezoni por të gjithë janë të bindur se ajo i ka mundësitë për të bërë shumë më tepër.