E kishin premtuar një ditë më parë trajnerët Vildan Tufi e Albert Marashi dhe ashtu ka ndodhur. Vllaznia është shpallur kampione e Shqipërisë në atletikë edhe me 18 vjeçarët. Ka ndodhur kështu në garat e zhvilluara sot në Elbasan ku atletët shkodranë janë rikonfirmuar edhe njëherë si më të mirët në Shqipëri.

Kampionati ka patur shumë rivalitet dhe në mes ekipit të vendit të parë dhe atij të dytë në përfundim të tij ka patur vetëm 6 pikë diferencë. Kështu, në vend i parë është renditur Vllaznia 130 pikë që është shpallur kampione, ndërsa në vend të dytë u rendit Skënderbeu me 124 pikë ndërsa Mjeshtria Sportive e Durrësit në vend të tretë me 61 pikë.

Ndërkohë në garat individuale, ka spikatur atleti Heldi Valikaj që është shpallur kampion në garat e kërcimit së gjati dhe në trehapësh, duke lënë në vend të dytë në të dy këto disiplina atletin tjetër të Vllaznisë Kolindo Kirin.

Ndërkohë edhe në stafetën 4×100 metra, Vllaznia ka zënë vend të parë duke patur në përbërje sportistët Shqarri, Valikaj, Huti, Kiri. Sakaq në garat e tjera janë arritur disa prej këtyre rezultateve:

400 m/p vend i tretë David Kodheli
110 m/p vend i dytë Indrit Huti, vend i tretë David Kodheli
400 m vend i dytë Igli Shqarri

200 m vend i tretë Igli Shqarri
Kërcim së larti vend i dytë Glenis Haxhia

Edhe në garat e femrave ka patur sportiste të Vllaznisë që kanë rënë në sy. Mbi të gjitha Erisa Rrasa e cila siç kishte deklaruar një ditë më parë trajneri i saj Vildan Tufi, do pretendonte të kapte distancën 5.50 metra në kërcim së gjati. Dhe kështu ka ndodhur, madje ka kërcyer 5.58 metra. Kujtojmë këtu se atletja e mirënjohur Vera Bregu kur ka qenë në moshën 15 vjeçare sa është Erisa sot, ka kërcyer 5.52 metra.

Kjo do të thotë se Rrasa premton shumë dhe me siguri do të jetë atletja që do të thyejë rekordet e Vera Bregut të cilat nuk thyen prej 30 vitesh. Kjo sportiste është shpallur kampione edhe në garën e trepahëshit me 11.61 metra.

Trajneri Tufi përmend edhe dy sportiste të tjera që stërvit ai, Elda Tula e cila ndonëse vetëm 12 vjeç e gjysëm, ka arritur të shpallet kampione e Shqipërisë për 18 vjeçaret në garën e kërcimit së larti me 1.35 metra. Në vend të dytë është renditur 14 vjeçarja tjetër e Vllaznisë Sara Malaj me 1.30 metra.

Suksesi i sotëm padyshim që është meritë e sportistëve por edhe e trajnerëve Albert Marashi, Vildan Tufi, Bruno Rrotani, FatjonS Serhati dhe Dorian Tafa që punojnë plot përkushtim çdo ditë për të arritur këto rezultate.
© shkodrasport.com