Vllaznia në basketboll për të reja shpallet kampione e Shqipërisë edhe për sezonin 2018-2019. Pas suksesit të vitit të kaluar në finalet e zhvilluara në Shkodër, vajzat e reja shkodrane kanë përsëritur të njëjtin sukses edhe këtë të premte në finalen e zhvilluar në kryeqytet.

Përballë saj ka qenë ekipi Superior Basket i Tiranës dhe Vllaznia e ka dominuar ndeshjen nga fillimi e deri në fund duke fituar me rezultatin 122 me 85. Fakti që ekipi shkodran ka arritur të shënojë plot 122 pikë në një finale, është treguesi më i mirë i superioritetit që ai ka patur ndaj kundërshtarit në të gjitha drejtimet.

Gjysmëfinalet u zhvilluan një ditë më parë dhe Vllaznia fitoi ndaj Flamurtarit të Vlorës me një rezultat të thellë ndërsa Superior fitoi ndaj ekipit përmetar The Roses.

Pritej që në finale të kishte më shumë rivalitet por kjo nuk ka ndodhur sepse vajzat e ekipit shkodran të drejtuara nga dy mjeshtrit e këtij sporti Xhuli Shestani dhe Renato Radoja, kanë kontrolluar gjithçka dhe në fund kanë qenë ata fituese.

Padyshim që kontributin më të madh në këtë sukses e kanë luajtur basketbollistet Verri, Lugaj, Kraja, Mala, Kolombi, Kaçi, por edhe lojtaret e tjera të stolit që kanë dhënë edhe ato kontributin e tyre në këtë sukses të rradhës.

Momenti më i bukur padiskutim ka qenë ai kur sekretari i Federatës Korab Llazani i ka dorëzuar kupën kapitenes Nisrina Kraja dhe Vllaznia U18 kësisoj është kampione e Shqipërisë edhe për sezonin 2018-2019.
www.shkodrasport.com