Pas trofeut “Korça” që u zhvillua javën e kaluar, tashmë rradha i takon Kampionatit Kombëtar të çiklizmit, që është edhe veprimtaria më e rëndësishme kombëtare e vitit. Në kalendarin e këtij aktiviteti dyditor, është kronometri individual që do të zhvillohet ditën e enjte ndërsa të premten është gara e rezistencës.

Dy ditë garë që do të përmbyllin një kalendar veprimtarish kombëtare shumë të ngjeshur që kanë nisur nga marsi dhe përfundojnë në fillim të korrikut. Vllaznia këtë herë nuk do të ketë një përbërje të plotë pasi në këto gara i mungojnë dy prej çiklistëve të saj kryesorë.

Bëhet fjalë për Astrit Kronajn që ka pësuar një dëmtim në stërvitjen e ditëve të fundit dhe po ashtu edhe Samuen Bajrami që u dëmtua nga një rrëzim në garën e Korçës. Në këto rrethana, të dy ata nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në garën e kampionatit për t’i dhënë ekipit ndonjë vend në podium.

Megjithatë me Bruno Kolën, Defrim Dhollën, Marçelo Kolën dhe Mateo Balajn, Vllaznia do të synojë triumfin në garën e 23 vjeçarëve, atë të juniorëve por edhe të kadetëve. Kjo nuk do të jetë aspak e lehtë sepse në Kampionatin Kombëtar marrin pjesë edhe çiklistët shqiptarë të cilët garojnë për ekipe të huaja në vende të ndryshme të Europës.

Gjithsesi shkodranët falë përgatitjes shumë të mirë që kanë bërë nga fillimi i vitit dhe deri tani, do të tentojnë suksesin.
www.shkodrasport.com