Vllaznia i ka dhënë fund sot përgatitjeve në Ulqin dhe është rikthyer në Shkodër, aty ku do të bëhet gati për rifillimin e ndeshjeve zyrtare të këtij viti. Por sakaq, para sfidës me Kukësin që do të luhet të dielën e ardhshme, kuqeblutë kanë vendosur të luajnë edhe dy ndeshje miqësore.

E para do të luhet nesër në ora 13.30 në stadiumin e qytetit të Laçit ndaj skuadrës vendase dhe kjo do të jetë prova më serioze e Vllaznisë para sfidës me kukësianët.

Si rrjedhojë, trajneri Osmani me shumë mundësi në këtë përballjen e nesërme do të hedhë në fushë më të mirët, ata me të cilët mendon të luajë javën e ardhshme në ndeshjen e kampionatit. Numri i futbollistëve që mendohet të luajnë nesër, nuk do të jetë më i madh se 14-15.

Të tjerët që nuk do të luajnë, do të jenë në fushë pastaj të hënën në miqësoren tjetër ndaj Besëlidhjes që do të luhet në Shkodër. Në këtë mënyrë në këto 180 minuta do të aktivizohen të 25 futbollistët që ishin në stërvitje me skuadrën në Ulqin dhe mbase edhe ndonjë tjetër nga ekipi U21 apo dhe nga ai U19./SHKODRA-SPORT.COM/