Miroslav Klose mund të bëhet zëvendëstrajneri i Gjermanisë, apo të pranonte oferta nga klube të ndryshme që e donin si trajner të parë. Por ish-sulmuesi i përfaqësueses gjermane, ka zbuluar se frika nga problemet shëndetësore të papritura që e mbërthyen kohët e fundit, e kishte shtyrë të braktiste gjithçka për momentin.

“Isha në bisedime shumë të avancuara të ndryshme, por pastaj një e papritur ndodhi dhe m’u desh të bëja një pauzë të pavullnetshme” ishte rrëfimi i ish-futbollistit për “Kicker”. Ai u largua pak ditë më parë nga Bajern Mynih, si pjesë e revolucionit në klub me Julian Nagelsman. Por çfarë e shtyu Klosen të braktiste gjithçka për momentin?

“Rreth 3 javë më parë kisha një dhimbje të fortë në këmbë e cila përkeqësohej me kalimin e kohës. U vizitova nga mjekët e Bajern, mendova mos kisha nervin shiatik apo diçka të ngjashme. Diagnoza ishte tronditëse për mua, dy tromboza në këmbë. Iu nënshtrova menjëherë kurës së medikamenteve e duhet të mbaj të gjithë ditën çorape speciale. Mjekët më kanë shpjeguar se nuk mund të tallesh me situata të tilla”, tha Klose.

Ai bëri të qartë se planet e tij profesionale do të rifillonin vetëm kur të ishte 100%, ndërsa mes refuzimeve kishte qenë edhe ajo për t’u bërë pjesë e Gjermanisë së re të Hansi Flik. “Të vazhdoja të bëja zëvendësin nuk do të ishte zgjedhja e duhur, pavarësisht raportit njerëzor e profesional që kam me Hansi Flik. Unë kam zgjedhur gjithmonë rrugën më të vështirë”, tha Klose. /vipsport/