Tre fitore në katër ndeshjet e fundit kanë bërë që Vllaznia të arrijë me pikë Tiranën, që ndodhet në vendin e tretë të renditjes. Shkodranët i besuan stolin Qatip Osmanit, dora e të cilit duket se ka nisur të ndihet, teksa prej një muaji kanë zyrtarizuar si drejtor sportiv Tefik Osmanin.

Në Shkodër kanë si objektiv që në fund të 36 javëve të arrijnë një nga katër vendet e para për të provuar më pas të kurorëzohen si kampion e besimi është shtuar falë rezultateve të fundit.

Humbja në Rrogozhinë nuk ishte e lehtë, me skuadrën kuqeblu që pësoi 3 gola në 45 minuta e para, por më pas gjërat kanë ndryshuar dhe fitores me Dinamo Cityn dhe Tiranën i kanë kthyer qetësinë ekipit shkodran që do ta mbyllë me fitore vitin kalendarik përballë Skënderbeut.

Drejtuesit kanë menduar që të gjitha të ardhurat që do të grumbullohen për këtë ndeshje të shkojnë për Shtëpinë e të Moshuarve dhe Shtëpinë e Fëmijës, një motiv më shumë për publikun shkodran për të mbështetur skuadrën në këtë ndeshje të rëndësishme për ekipin.

Vllaznia ndodhet në kuotën e 23 pikëve, pas 17 javësh, duke u renditur në vendin e katërt të klasifikimit, në një diferencë prej vetëm 1 pike me skuadrën korçare që ndodhet një pozitë më poshtë.