Vllaznia është zyrtarisht në krizë. Humbja e thellë ndaj Egnatias e dërgoi në katër ndeshje rradhazi pa fitore në mes kampionatit dhe Kupës, duke e zbritur skuadrën në vendin e pestë.

Një situatë e pamenduar më herët për shkodranët në këtë fazë të kampionatit kur kanë mbetur edhe pesë javë nga fundi, edhe pse gjatë gjithë këtij sezoni kanë qenë pak a shumë në këto pozita. Një moment kritik, në të cilin kuqeblutë prisnin të hidhnin një hap të rëndësishëm drejt Europës, por edhe njëherë tjetër tregoi se e ka të vështirë të bëjë kthesën në rezultate.

Nga ana tjetër, edhe Laçi që është futur në këtë “valle” vijon të mos gabojë. Megjithatë, humbja e fundit me Egnatian nuk kërkohet të bëhet dramë nga ana e klubit, por duan të mbajnë ende lart optimizmin në skuadër në këtë fund-kampionati.

Një fakt tjetër është edhe se këtë sezon nuk ka më ndeshje ku je favorit ose jo, pasi të gjitha skuadrat kanë treguar se mund të marrin pikë ndaj kujtdo.

Megjithatë, Vllaznia shpreson që të fitojë pesë duelet e rradhës, siç janë me Kastriotin, Teutën, Partizanin, Laçin dhe në fund me Bylisin. Nëse llogaritë do t’u dalin në fund, edhe duke shpresuar tek ndalesat e Egnatias dhe të Laçit, Vllaznia mund ta arrijë Europën këtë sezon ndoshta edhe nga kampionati.
Maringlen ZHIVANI