Dje dhe sot në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është zhvilluar kampionati kombëtar i mundjes së lirë dhe asaj klasike për grupmoshat U15 dhe U17. Në këtë kampionat kanë marrë pjesë të gjithë ekipet e vendit me sportistët e tyre më të mirë.

Në mes tyre ka qenë edhe ekipi i Vllaznisë i cili në përfundim të kampionatit është renditur në vendin e dytë në stilin e lirë duke u shpallur në këtë mënyrë nënkampion i vendit. Një arritje kjo për këtë ekip i cili siç dihet, stërvitet në kushte të vështira dhe nuk ka mbështetjen e duhur.

Sa i takon ndeshjeve të zhvilluara, kanë spikatur mbi të gjithë sportistët Amer Faslija i cili zuri vendin e parë dhe u shpall kampion në peshën 62 kg si dhe Enes Anza i cili po ashtu u shpall kampion i vendit në peshën 75 kg.

Në vende të dyta janë renditur Eden Zhuri në peshën 57 kg dhe Unejs Hafizi në peshën 68 kg. Ndërsa në vende të treta janë renditur mundësit Imran Bushati (38 kg), Ardis Decan (44 kg), Ali Toro (52 kg) dhe Amer Brahimi (85 kg). Pavarësisht se nuk u ngjitën në podium figurë të mirë kanë bërë edhe mundësit e tjerë Amar Toro (41 kg), Muhamed Brahimi (52 kg) dhe Elidon Sykaj (52 kg).

Në këtë mënyrë mbyllet një kampionat i suksesshëm për mundësit e Vllaznisë dhe padyshim që një meritë të madhe në këto rezultate ka edhe trajneri Altin Anza për punën e madhe të zhvilluar çdo ditë në stërvitje me sportistët e tij.(www.shkodrasport.com)