Dinamo “e mallkuar”! Sa shumë raste janë shpërdoruar në ndeshjen e sotme kundër Teutës, atje ku kryeqytetasit humbën me shifrat 1-0. Goli i vetëm i takimit është realizuar nga Emiljano Vila në nisje të ndeshjes. Pas një lëvizje të bukur në zonë, Vila e dërgoi topin në cepin e rrjetës.

E gjitha loja është marrë në kontroll nga Dinamo më pas, aq sa arritën në kuotën e 11 korneve të marra në vetëm 30 minuta loje. Pjesa e dytë e pa ekipin e Devollit me raste më të pastra që janë shpërdoruar.

Traversa e Demirit, shansi i artë i Haxhiut dhe goditjet e Denison, për të përfunduar me mrekullinë e portierit të ri të Teutës, Dema, që i ndaloi golin Mihanas me goditjen me kokë, teksa gjendej fare pranë tij. Topi nuk dëshironte të futej në portën e Teutës, por Dinamo është e detyruar që tanimë të kalojë zyrtarisht në zonën e ftohtë, në vendin e 8. Më poshtë gjeni edhe intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Devolli: “Humbja e parë që nuk ndihem keq, madje jam krenar për lojtarët e mi. E kemi shkelur kundërshtarin, në të gjitha drejtimet. 16 korne dhe goditje të panumërta në kuadrat. Të vazhdojmë kështu, të ulim kokën dhe gjërat e mira do të vijnë. Po vazhduam me këtë ritëm golat do të vijnë. Vetëm po të kemi “qimen e derrit” pastaj”.