Ditën e sotme, skuadra e Vllaznisë e drejtuar nga trajneri Thomas Brdariç ka nisur përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë ndaj Laçit në transfertë, ballafaqim ky i vlefshëm për javën e 19-të të Abissnet Superiore. Seanca stërvitore e sotme u zhvillua në fushën sportive “Reshit Rusi”, e cila tashmë është e gatshme për lojtarët shkodranë që të mund të stërviten normalisht.
Për t’u theksuar është se në seancën e parë të kësaj jave nuk është parë të stërvitet me skuadrën, senegalezi Fallou Diagne. Mbrojtësi ka qenë pranë familjes së tij me lejen e klubit, pasi është bërë baba dhe pritet që në ditët në vazhdim të kthehet dhe t’i bashkohet skuadrës.
Mungesa e Adilit duket se do t’i japë mundësi teknikut Brdariç të “formatojë” një mbrojtje ndryshe nga javët e mëparshme, për sfidën e së shtunës ndaj Laçit. Kështu, në mbrojtje, sipas të gjitha gjasave, do të jetë dyshja Diagne-Bulatoviç, që luajnë për herë të parë së bashku në qendër të mbrojtjes.
Megjithatë, trajneri Thomas Brdariç ka dilemat e tij akoma dhe gjithsesi deri të shtunën shumë gjëra mund të ndryshojnë. Gjatë ditëve në vazhdim, kuqeblutë do të zhvillojnë seanca stërvitore të tjera, ku tekniku Brdariç do të ketë mundësi që të shohë formën e çdo lojtari.
Vllaznia do të tentojë patjetër marrjen e pikëve në Laç, aq më tepër që skuadra shkodrane luan ndaj një rivali kryesor, sfidë kjo ku nuk duhet të shfaqë përsëri problemet e dueleve të mëparshme në finalizimin e rasteve.
Maringlen ZHIVANI