Tirana bind, Vllaznia gjen fitoren e parë për vitin 2022. Partizani dorëzohet në shtëpinë e Laçit, fiton Teuta, ndërsa Egnatia e Dinamo ndahen në barazim. Kjo është Java e 18-të e Abissnet Superiore, që mbylli dhe fazën e dytë. Gjithçka në analizën e Shkëlqim Muçës, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.

Dominimi i Tiranës – “Ishte një ndeshje e bukur për tu parë, për ambjentin, për tifozët, për shpejtësinë dhe bukurinë e lojës. Longo në këtë ndeshje mendoj se gaboi. Dy lojtarët e mesfushës i aktivizoi shumë në sulm, por lanë shumë hapësira mbrapa. Tirana është shumë e shpejt dhe e kapi në befasi. Shumë lëvizje të Kukësit janë të kondicionuara dhe nga mungesat e shumta. Tirana ka garanci, ka lojtarë, ka dublime”.

Rikthimi i Vllaznisë – “Fusha e Kastriotit është shumë e vështirë, Vllaznia u tregua e duruar, bëri lojën e saj. Duroi deri në fund dhe mori një fitore të merituar. Kishte edhe kontestime, por mendoj se gjithçka ishte në rregull. Ajo nuk vodhi gjë”.

Kur vendos një lojtar klasi – “Një ndeshje e barabartë. Laçi tentoi disi më shumë, por dhe Partizani nuk është se u vu shumë në vështirësi. Ishte një ndeshje që po shkonte drejt barazimit, por kur ke një lojtar klasi shkon edhe kështu. Laçi ka bërë një fazë të dytë shumë të mirë, ka ecur me ritme të larta. Ikja e Lushkjes e dëmton”.

Gjendja e Teutës – “Teuta ka bërë hapa të gabuar, ka patur problem. Lojtarët janë, por ka ndikuar ndryshimi i stafit, ka ndikuar te skuadra. Veprimet duhen bërë më të pjekura. Momenti i parë kur u largua Martini mendoj se duhet të ishte përfundimtare, rikthimi nuk ishte i duhuri, lojtarët ata janë. Kanë marrë dhe një sulmues si Hebaj, që mua më pëlqen”.

Barazimi i Dinamos – “Ishte një ndeshje që duhej fituar për Dinamon, e nisi çdo gjë mirë, e kishte lojën nën kontroll. Në pjesën e dytë nuk e di se çfarë ndodhi, një skuadër pa karakter. Nuk i falet që humbi dy pikë. Je 1-0, ke një lojtar më shumë, nuk duhet ta lejosh kundërshtarin që të afrohet, por Egnatia në fakt i shkoi disa herë te porta”.