Vllaznia arriti të kapë Europën vetëm përmes fitimit të Kupës së Shqipërisë. Lëvizjet e shpeshta në pankinë dhe mbi të gjitha largimet e disa futbollistëve dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë që nuk arritën të justifikonin besimin e klubit, bëri që për pak për kuqeblutë, të konsiderohej një sezon i dështuar.
Mospjesëmarrja në Europë këtë verë do të sillte një dëm të madh për klubin, duke pasur parasysh investimin që është bërë në sezonin e fundit.
Duke qenë se ndeshjet e Kupave të Europës për Vllazninë nisin në fundin e muajit korrik, në Shkodër tashmë kanë kohën e duhur për të reflektuar dhe nisur ndërtimin e skuadrës.
Në ditët e ardhshme, pritet që të konfirmohen të tjerë emra futbollistësh për t’u larguar, të cilët nuk janë më në planet e klubit. Sa i takon merkatos në hyrje, klubi do të preferojë më së shumti tregun vendës, me futbollistë që e njohin mirë kampionatin shqiptar.
Gjasat janë që ekipi të grumbullohet në 15-ditëshin e parë të muajit qershor, edhe pse axhenda ende nuk është përcaktuar zyrtarisht. Gradualisht, klubi do të punojë për zyrtarizimet e afrimeve, në mënyrë që në ditën e fillimit të stërvitjes, të gjithë të jenë në dispozicion të stafit teknik dhe të trajnerit Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI