Përpjekjet e drejtuesve të Vllaznisë për të forcuar skuadrën me futbollistë cilësorë vazhdojnë. Nga burime të “Shkodra Sport”, mësohet se ata janë duke u përpjekur që të realizojnë ndonjë goditje tjetër.

Nga sa bëhet e ditur nga burime të “Shkodra Sport”, ekipi shkodran përpara datës 31 janar mund të realizojë një super-goditje. Bëhet fjalë për afrimin e një lojtari cilësor, që më përpara ka luajtur në kampionatin shqiptar, i cili nuk ka nevojë për shumë fjalë, sepse njihet mjaft mirë për vlerat e tij.

Emri i këtij futbollisti nuk bëhet i ditur nga drejtuesit kuqeblu sepse duan t’i paraprijnë ndonjë befasie, megjithatë bëhet e ditur se kemi të bëjmë me një sportist cilësor.

Pavarësisht se nga ana e drejtuesve asgjë nuk bëhet e ditur, nga emrat më të lakuar janë dy lojtarët e njohur, Elis Bakaj dhe Bekim Balaj. Dy lojtarë që mund t’i bëjnë shumë punë Vllaznisë dhe që mund t’i shërbejnë edhe teknikut Brdariç, në fazën sulmuese.

Presidenti Xhaferi ka vendosur “të zgjidhë qesen” dhe kështu po tenton të bindë një tjetër lojtar të njohur. Faktikisht, nuk ka shumë informacion për këtë lojtar, megjithatë e rëndësishme është që kjo goditje të realizohet.

Tifozët shkodranë janë në pritje të zhvillimeve të reja nga ky ekip, sepse kanë dëshirë që ta shohin Vllazninë në vendet e para të renditjes.
MARINGLEN ZHIVANI