Kupa e Shqipërisë, e cila nëse fitohej do të ishte një shpëtim për këtë sezon plot luhatje të Partizanit, u dogj si shans dhe tashmë ngushëllimet për të kuqtë janë të pakta.

Nëse shohim atë që ekipi i Partizanit ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni, mund të themi se edhe në rast se arrihet vendi i tretë dhe kualifikimi në kompeticionet europiane, klubin e kuq e pret një revolucion në verë.

Pas daljes nga vallja e Kupës, gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë askush nuk është i paprekshëm, madje as stafi teknik, me në krye trajnerin Mehmeti.

EMRAT NË DALJE – Lojtarë si Zhunior e Alban Hoxha janë në fund të kontratave të tyre, teksa emra si Mala, Kallaku e Albion Marku është fakt që do të largohen, pasi janë te Partizani në formulën e huazimit.

Përveç tyre, një pjesë të madhe të të cilëve klubi dëshiron t’i mbajë, ka edhe lojtarë, që nuk janë ambientuar dhe nuk kanë mundur të japin më të mirën e tyre, me palët që mendojnë të ndërpresin bashkëpunimet.

Herald Marku në muajt e fundit është kthyer në një lojtar stoli dhe në situatën aktuale, mesfushori nuk mund të mendojë asgjë tjetër më shumë se largimin në një klub ku i besojnë më shumë.

Kristi Kote, Gresild Lika dhe Aleksandar Damçevski gjithashtu nuk pritet të qëndrojnë, pasi minutat për ta janë me pikatore ose fare.

Milan Mirosavljev gjithashtu i shtohet listës së largimeve në proces, pasi serbi nuk ka shfaqur aspak atë që priste nga klubi nga ai kur e morën në ditët e fundit të merkatos së janarit.

MEHMETI – Gjithsesi, përveç lojtarëve, edhe trajneri Mehmeti është ende në një lloj testi dhe eliminimi në Kupë i ka ulur shumë kuotat për të vazhduar pas fundit të sezonit.

Klubi, pavarësisht se nuk ka vendosur përfundimisht në lidhje me të ardhmen e trajnerit, po punon për të dy skenarët.Siç është raportuar nga gazeta, ka pasur një takim mes drejtorit Olsi Rama dhe ish-teknikut të Vllaznisë, Tomas Brdariç, teksa i preferuar për stolin e Partizanit është edhe Diego Longo.

Skënder Gega gjithashtu mbetet një opsion mjaft i mundshëm, me tropojanin që udhëhoqi me mjaft personalitet ekipin drejt titullit kampion në vitin 2019.

Gjithsesi, jo çdo gjë ka mbaruar, pasi kualifikimi në Ligën e Konferencës është ende në lojë dhe në rast se ky objektiv arrihet, ky revolucion te të kuqtë, do të amortizohej dhe ndryshimet do të merrnin një trajektore më pak ekstreme.