“Xixa” në kampin korçar në prag të ndeshjes decizive të sezonit përballë Egnatias. Normalisht që situata në të cilën ndodhen bardhekuqtë mbart me vete presione dhe mbi të gjitha nerva në kërkim të rezultateve dhe një gjë e tillë është parë edhe në seancën e djeshme stërvitore.

“Panorama Sport” mëson se bëhet fjalë për përplasje mes kapitenit Vangjel Zguro dhe sulmuesit Elvi Berisha, që ka kulmuar me largimin e pogradecarit para mbylljes së seancës nga ana e trajnerit Skënder Gega.

Gjithçka ka ndodhur në fund të stërvitjes, atëherë kur Gega ka mbledhur të tijtë rreth vetes për të kërkuar impenjim dhe mobilizim për ndeshjen e radhës, ku do të varen 90% të shanseve për mbijetesë të Skënderbeut.

Pas fjalëve motivuese të trajnerit, fjalën e ka marrë Zguro, që sikundër i takon një kapiteni, është munduar të karikojë të tijtë.Zguro ka folur rreth angazhimit që duhet të ketë ekipi dhe faktit se duhet të shohin të mirën e ekipit dhe jo atë individuale.

“Kjo është ndeshja e vitit, është ndeshja kyçe e sezonit dhe në qoftë se nuk impenjohemi në këtë takim, turpi do të na shoqërojë të gjithëve gjatë gjithë kohës.

Duhet të luajmë si grup, jo si një ekip, që gjithsecili mendon për vete dhe për ngritje të vlerave individuale. Të shmangim egoizmat e tepërt dhe të mos mundohemi të bëjmë të vetëm gjithçka duke ulur kokën dhe vrapuar në fushë”, ishte fjala hyrëse e fjalimit të Zguros, që u pasua nga një batutë e sulmuesit Elvi Berisha në formë replike.

Ky reagim i sulmuesit nuk i ka pëlqyer aspak kapitenit. Në çast ka ndërhyrë Gega, i cili i ka kërkuar Zguros të qetësohet dhe të flasë me ton më të qetë përballë shokëve të ekipit.

Kjo ka shtuar akoma më shumë nervin te kapiteni i Skënderbeut, që ka theksuar në fund se mbijetesa nuk arrihet nga balerinë në fushë, por nga luftëtarë dhe më pas është larguar pa u mbyllur “mbledhja” e ekipit.

Dukshëm që një situatë e tillë nuk është e zakonshme në kampin korçar dhe gjithçka vjen si pasojë e gjendjes në të cilën ndodhen bardhekuqtë.