Mesfushori i Barcelonës, Pedri Gonzales ka fituar çmimin e ‘’Golden Boy 2021’’, duke triumfuar në një listë të gjatë emrash.

Lajmi u bë zyrtar ditën e sotme nga gazeta italiane ‘’Tuttosport’’ që prej vitesh mban firmën e këtij çmimi. Votimet bëhen nga gazetarët e Shoqatës Evropiane të Mediave, një për çdo vend, si dhe ka një përqindje për votat e tifozëve përmes internetit.

Pedri është lojtari i tretë spanjoll që e fiton këtë çmim, teksa më herët e kanë fituar dhe Isko me Çesk Fabregas. Një fakt tjetër interesant është se 18-vjeçari, është futbollisti i parë i Barcelonës që fiton këtë çmim që nga epoka e Lionel Mesit.

Pedri zhvilloi një sezon të shkëlqyer duke kaluar numrin e 70 ndeshjeve në një vit kalendarik përfshirë ndeshjet me Barcelonën në të gjitha kompeticonet, Spanjën dhe të rinjtë e Spanjës në Lojërat Olimpiket. Aktualisht Pedri është i dëmtuar, ndërsa ceremonia e dorëzimit çmimit do të bëhet më 13 dhjetor.