Veleçiku ka barazuar në shifrat 1-1 në ndeshjen e fundit kundër Gramshit. Barazim që i mban larg dy pikë nga kreu i renditjes koplikasit e drejtuar nga Haris Lika. Por ajo që bie në sy tek ekipi këtë sezon është prania e shumë emrave të njohur, e konkretisht futbollistë që kanë veshur fanellën e Vllaznisë.

Flasim këtu për emra të njohur që në vitet e fundit kanë kontribuar në Superligë me Vllazninë. Sulmuesi Arenc Dibra i cili në ndeshjen e fundit gjeti edhe rrugën e rrjetës. Po ashtu mesfushorët Arsen Hajdari dhe Florind Bardulla janë pjesë e skuadrës së Veleçikut këtë edicion.

Emra shumë të njohur në futbollin shkodran që po japin nga eksperienca e tyre në vite dhe cilësitë e tyre për ringritjen e Veleçikut. Po ashtu futbollistë si Bajri, Balaj, Elbasani, Rrustemaj apo edhe Bega janë futbollistë të dalë nga akademia Vllaznia që janë pjesë e Veleçikut e po ashtu pjesë e formacionit titullar.

Shumë futbollistë të Vllaznisë dhe shkodranë kanë dhënë kontributin e tyre në vite tek skuadra e Veleçikut. Një skuadër që për shumë vite ka shërbyer si ekip “satelit” i kuqebluve dhe që po përpiqet të ringrihet në nivelin e viteve të shkuara.
Endri ÇINARI