Skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra i është rikthyer seancave stërvitore për vitin 2023 pas bojkotit për pagat e prapambetura. Në fakt, bojkoti i ekipit kuqeblu zgjati për rreth 10-ditë ose dy javë afërsisht, teksa pasi kanë marrë pagat e prapambetura, janë rikthyer me përgatitjet e tyre për pjesën e mbetur të këtij sezoni.

Kjo ka qenë edhe seanca e parë stërvitore e vitit 2023 pas disa ditësh pushim, teksa ky proçes stërvitor u drejtua nga dy zv/trajnerët Ferdinand Bardeli dhe Dorian Tafa, në mungesë të trajnerit Besnik Lisha, i cili për momentin po kalon një gjendje gripale. Ashtu si përherë, stërvitja është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Në fakt, kjo seancë stërvitore nuk ka qenë shumë intensive, duke marrë në konsideratë se ka qenë vetëm dita e parë për këtë vit të ri.

Në këtë seancë stërvitore kanë marrë pjesë të gjitha volejbollistet shkodrane të ekipit kuqeblu, natyrisht me më shumë besim dhe siguri nga presidenti Florian Zekja pas dhënies së pagave të prapambetura që kishin.

Në vazhdimësi do të shihet nëse trajneri Besnik Lisha dhe presidenti Zekja do të bëjnë afrime të tjera si përforcime tek Vllaznia në volejboll për femra.
Maringlen ZHIVANI