Sulmuesi shkodran Erald Çinari ka gjetur gjuhën e përbashkët me Shkëndijen e Tetovës dhe tashmë është vetëm çështje orësh firma e tij me klubin shqiptaro-maqedonas.

Këta të fundit në fakt kanë qenë të parët që e kanë kontaktuar Çinarin pas largimit nga Samsunspor dhe jo vetëm kësaj here, por edhe në merkaton e verës dhe atë të janarit të kaluar.

Poashtu, burime të “Shkodra Sport” bëjnë me dije se ka qenë pikërisht mesfushori i Shkëndijes së Tetovës, Ferhan Hasani ose ndryshe i njohur “Buba”, i cili është bërë “shkes” për një bashkëpunim të tillë dhe ka luajtur një rol të madh në afrimin e Eraldo Çinarit tek ekipi tetovar.

Kujtojmë këtu se, sulmuesi shkodran dhe “Buba” kanë luajtur së bashku para dy vitesh tek Partizani dhe për ta mbyllur këtë bashkëpunim, Ferhan Hasani ka qenë “ura lidhëse” e Çinarit me drejtuesit tetovar.

Së fundmi, Erald Çinari ishte vendosur në epiqendër të merkatos së klubeve shqiptare, por jo vetëm, teksa për shkodranin ka pasur interes edhe nga Vllaznia dhe Partizani, por duket se sulmuesi ka zgjedhur një aventurë të re në Maqedoninë e Veriut, pikërisht tek Shkëndija e Tetovës.
Maringlen ZHIVANI