Vllaznia në volejboll përveç titullit kampion me paratëreja që ka siguruar një javë më parë, sot rrëmbeu edhe një tjetër trofe, atë të të rejave. Ka ndodhur kështu pas ndeshjes finale që ajo ka fituar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj ekipit tjetër finalist, Himarës. Ndeshja është dominuar tërësisht nga vajzat e reja të Shkodrës të cilat në këtë mënyrë janë shpallur triumfuese. Ka qenë vetë presidenti I Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi ai që ka dhënë medaljet dhe i ka dorëzuar në fund kupën kapitenes së ekipit Artiola Stolaj, moment pas të cilit në “Qazim Dervishi” ka nisur festa.

Presidenti Pëllumbi në prononcimin e tij për shkodrasport.com shprehet I kënaqur për mënyrën si shkoi kampionati dhe natyrisht vlerësoi ekipin fitues, Vllazninë. Nga ana tjetër, dy pjestarët e ekipit kampion, trajneri Dorian Tafa dhe kapitenia Artiola Stolaj, këtë sukses ia kanë dedikuar ish-trajneres së mëparshme të këtij ekipi, Alda Kaçorrit që u nda nga jeta pak kohë më parë. Volejbolli I femrave në Shkodër duket se ka nisur një rrugëtim të suksesshëm nisur nga dy trofetë e fundit që ka fituar megjithatë, kjo ecuri duhet të vazhdojë edhe më tej për të arritur tek momenti final, ai I suksesit edhe me ekipin e të rriturave.
Gjergj KOLA