Vllaznia në boks për të rinj ka zënë vendin e dytë në kampionatin kombëtar të kësaj moshe, zhvilluar për tre ditë me rradhë në qytetin e Vlorës. Ajo ka arritur të nxjerrë shtatë finalistë dhe prej tyre, katër janë shpallur kampionë dhe pikërisht Vuksan Gurin në peshën 60 kilogramë, Erald Muhjen në peshën 64 kilogramë, Samet Llukajn në peshën  69 kilogramë dhe Fisnik Muharremin në peshën 81 kilogramë. Po kaq kampionë ka nxjerrë edhe ekipi I Flamurtarit por ky I fundit kishte nxjerrë një finalist më shumë dhe për rrjedhojë me një pikë më tepër në renditjen ekipore, ka arritur të shpallet kampion I vendit për këtë grupmoshë për vitin 2014. Vllaznia është mjaftuar me vendin e dytë por duhet thënë se paraqitja e sportistëve të saj ka qenë shumë e mirë dhe trajnerët Zef Gjoni, Besnik Limani dhe Jozef Sermi kanë mbetur të kënaqur me formën e treguar. Nga rradhët e ekipit shkodran ka dalë edhe sportisti më I mirë I kampionatit I cili ka qenë Erald Muhja. Ai ka spikatur mbi të gjithë për nivelin e treguar në të gjitha ndeshjet dhe vendimi për ta shpallur atë sportistin më të mirë, ka qenë unanim. Në këtë mënyrë është mbyllur ky kampionat dhe tashmë vëmendja e drejtuesve të Vllaznisë në boks është tek kampionati kombëtar për të rritur që do të nisë më datën 25 shtator në qytetin e Tiranës. Shkodranët duan të fitojnë titullin e 20-të kampion dhe janë të bindur se do ia dalin ta sjellin atë në qytetin tonë.
Gjergj KOLA