Ndeshja e nesërme Vllaznia- Besëlidhja që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” konsiderohet e rëndësishme për ekipin shkodran sepse fitorja do t’ia forconte edhe më shumë pozitat në krye të renditjes.

Në kampin kuqeblu atsmofera në këtë pragndeshje duket shumë e mirë dhe çdo gjë është gati për ta kaluar me sukses edhe atë. Por futbollistët e Vllaznisë do kenë një arsye më shumë për të kërkuar fitoren.

Kolegu i tyre, portieri Alen Sherri ka ditëlindjen dhe do të ishte bukur që t’ia festonin me një fitore. Për më tepër, 21 vjetorin t’ia festonin pa pësuar gol. Gjithsesi festa duket se është parashikuar pas ndeshjes.

E rëndësishme është për momentin marrja e trepikëshit. Portieri Sherri po kalon një gjendje të mirë dhe tashmë ai gjithnjë e më tepër po rikonfirmon vlerat e tij si portier cilësor.

Të mos harrojmë se është ende shumë i ri në moshë dhe ka një karrierë të suksesshme përpara. Nuk përjashtohet mundësia edhe e largimit nga Shqipëria por siç ka deklaruar edhe vetë, për momentin është i fokusuar tek ngjitja e Vllaznisë në Superligë.
© shkodrasport.com