Ish-mesfushori i Juventusit, Mauro Camoranesi, beson se Torino mund ta sfidojë ish-klubin e tij dhe superstarin Cristiano Ronaldo, edhe nëse bardhezinjtë i kanë të gjitha. Në prag të derbit, Torino është në vendin e gjashtë të klasifikimit. “Zonja e Vjetër” pozicionohet në krye të renditjes, aktualisht tetë pikë larg Napolit, duke marshuar drejt titullit të tetë radhazi.

Pavarësisht nga sezoni, që nuk ka arritur akoma në gjysmë të rrugës, Camoranesi është i bindur se Juventusi do ta fitojë kampionatin, pasi asnjë rival nuk është përmirësuar sa duhet, për të qenë një konkurrent. “Titulli ishte histori e mbyllur pesë ndeshje më parë, – tha ai për “Goal”.

– Arsyetimi është shumë i thjeshtë: Juventusi e ka përmirësuar nivelin e skuadrës në verë. Napoli, që kishte aftësinë për të rivalizuar, ka ruajtur pothuajse të njëjtën skuadër. Unë dua të kuptoj se si “azzurri” mund të rikuperojnë tetë pikë diferencë, tashmë”.

Camoranesi përmendi ardhjen e Ronaldos si shenjë e qartë e superioritetit të bardhezinjtë në Itali. Argjentinasi i lindur në Itali shpjegoi përjetimin e derbit të nxehtë të Torinos, ndërsa ishte në aktivitet, por beson se përmirësimi gradual i “granatave” gjatë viteve ka çuar në një stil fizik të lojës, çka mund t’i shkaktojë probleme Juventusit.

“Torino është rritur shumë dhe tani ka një ekip mjaft të mirë. Në fakt, për shumë vite kjo ndeshje ishte pak e mërzitshme, – shtoi ai. – Në ato vite, kur unë luaja te Juve, Torino jetonte mes normalitetit dhe rënies. Tani, megjithatë, Torino ka arritur një nivel tjetër. Në aspektin e cilësisë, natyrisht, ka një ndryshim të madh, por Torino është një ekip shumë fizik dhe mendoj se mund ta vënë Juventusin në telashe, në një mënyrë, ose në një tjetër”.

Ai, gjithashtu, mendon se ardhja e Ronaldos e bën Juventusin një konkurrent të Ligës së Kampionëve, veçanërisht duke konsideruar rënien në formë të disa prej rivalëve më të mëdhenj kontinental.

“Ronaldo është një lojtar i pabesueshëm për gjithë Seria A. Bardhezinjtë nuk kanë pasur një lojtar të tillë vendimtar në shkallë botërore që prej kohës së Zinedine Zidane, – shtoi Camoranesi. – Ronaldo me siguri mund ta ndihmojë Juventusin të fitojë cilësinë që i mungonte në Europë. Ne po flasim për një lojtar që merr përgjegjësinë dhe nuk i ngarkon shokët e tij.

Mund të jetë një vit i mirë në Europë për Juventusin, siç mund të ketë qenë edhe vitin e kaluar. Disa konkurrentë të drejtpërdrejtë të Juventusit nuk po performojnë shumë mirë. Këtu kam parasysh Bayern Munich dhe Real Madridin. Ardhja e një specialisti të Champions-it si Ronaldo mund të thotë shumë”./telesport/