Vllaznia pa humbjes në kampionat në javën e fundit kundër Laçit, do rikthehet në aktivitet nesër. Kuqeblutë do zbresin në fushë në orën 13:45 për ndeshjen e kthimit të kupës së Shqipërisë kundër Flamurtarit. Në Shkodër do luhet çerekfinalja e dytë mes dy skuadrave, ku ndeshja e parë në Vlorë përfundoi në shifrat 1-2 për kuqeblutë.
Pra kualifikimi është thjesht një çështje formaliteti duke parë edhe diferencat që kanë dy skuadrat. Por ky takim do shërbejë për të besuarit e Brdariç si “ilaç” para rikthimit të Superligës në fundjavë. Kjo edhe për të arritur një rezultat pozitiv e për tu rikuperuar psikologjikisht pas humbjes në Laç.
Por edhe për të kaluar “ngërçin” para portës ku disa futbollistë duhet të zhbllokohen e të hedhin pas krizën e golit. Patjetër formacioni nuk do jetë ai më i miri i mundshëm për Vllazninë, duke parë edhe vetë rëndësinë që ka kjo ndeshje e kthimit, por edhe duelin me Teutën në fundjavë.
Një ndeshje që nuk parashikohet aspak e lehtë, pavarësisht krizës që po kalojnë durrsakët. Pra ndeshja kundër Flamurtarit nesër mund të shërbejë shumë për Vllazninë më tepër në aspektin moral dhe psikologjik, duke qetësuar disi edhe ambientin kuqeblu.
Endri ÇINARI