Vllaznia nga dita e sotme do të nisë përgatitjet për sfidën e parë të kampionatit, atë që do të luajë të shtunën në Laç ndaj skuadrës vendase. Stafi teknik do të fokusohet tek përgatitja e saj, formacioni dhe mënyra si do të luajnë ndaj kurbinasve.

Një lajm jo i mirë në këtë pragndeshje është mungesa e plot 5 lojtarëve në këtë ndeshje të parë, megjithatë pavarësisht tyre kuqeblutë padyshim që do të tentojnë ta nisin kampionatin e ri me fitore. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse edhe kundërshtari ka objektiva serioze, por përpos kësaj, fusha e Laçit ka qenë gjithnjë e vështirë për Vllazninë.

Ndërkohë mesnatën e së dielës është mbyllur merkatoja në futbollin shqiptar, por Vllaznia nuk ka bërë asnjë lëvizje të fundit. Drejtuesit e saj kishin deklaruar që më përpara se me firmosjen e kontratave me Mustedanagiç e Sadrijaj, ishte mbyllur merkatoja dhe kështu ka rezultati.

Trajneri Brdariç ka në dispozicion plot 29 lojtarë për sezonin e ri dhe ky kontigjent është mëse i mjaftueshëm për të përballuar sezonin, të paktën deri në janar kur do të rihapet merkatoja. Trajneri Brdariç është shprehur ditët e fundit se është i kënaqur me kontigjentin e lojtarëve që ka në dispozicion dhe kjo është diçka pozitive.

Për të tashmë nuk ka më justifikime dhe objektivi i Vllaznisë edhe në sezonin e ri do të jetë padyshim synimi i titullit kampion. Gara pritet të jetë shumë e fortë sivjet sepse mendohet të jenë 6 apo 7 ekipe pretendente dhe kjo e bën të paparashikueshme edhe mënyrën si do të shkojnë gjërat.

E rëndësishme për kuqeblutë është nisja e mbarë e kampionatit dhe për këtë arsye, ekipi shkodran do të kërkojë fitoren të shtunën në orën 13.45 në Laç./SHKODRA-SPORT.COM/