Vllaznia ka rinisur ditën e sotme përgatitjet pas dy ditësh pushimi. Paradite, shkodranët nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa dhe stafit teknik, kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore.

Ekipi është stërvitur normalisht dhe grupi është në gjendje optimale. Skuadra ka qenë e plotë, me përjashtim të kapitenit Erdenis Gurishta, Herald Markut dhe Esin Hakajt, të cilët janë të përzgjedhurit e ekipit të Kombëtares. Kapiteni Gurishta dhe Hakaj ishin pjesë e listës së Edoardo Rejës edhe me Arabinë, ndërsa këtë herë me Katarin, u shtua edhe mesfushori Herald Marku dhe u la jashtë Esat Mala.

Ashtu siç dihet tashmë, Abissnet Superiore është ndërprerë për t’i lënë vend angazhimit të skuadrës së Kombëtares. Pikërisht, për shkak të kësaj ndërprerjeje, në klubin e Vllaznisë kanë kohën e nevojshme ta përgatisin me qetësi duelin e “Klasikes së Shqipërisë” ndaj Tiranës.

Këto ditë është menduar që do t’u shërbejnë për mirë, pasi futbollistët që janë rikthyer nga dëmtimi mund të përfitojnë për të rritur formën e tyre. Ndërkohë që, i padisponueshëm edhe këtë javë do të jetë mesfushori kosovar Liridon Latifi, i cili është drejt riaftësimit dhe është stërvitur pak nga pak me grupin.
Maringlen ZHIVANI