Për Vllazninë e futbollit të femrave nuk ka kohë për të humbur. Prej një jave, kampionia e Shqipërisë në futboll për femra, ka nisur përgatitjet e saj për pjesmarrjen në Ligën e Kampioneve të Europës. Siç dihet tashmë, ato do të zhvillohen nga datat 7 deri më 13 gusht në Lituani.
Ndonëse shorti konsiderohet aspak i favorshëm pasi vajzat kuqeblu do të ndeshen me ekipet kampione të Lituanisë, Irlandës dhe Maltës dhe shanset për kualifikim nuk duken shumë të mëdha, Vllaznia ka ndër mend të pretendojë deri në fund për kalimin e turit. Për këtë arsye, presidenti Lazer Matija është angazhuar maksimalisht gjatë këtyre ditëve për të përforcuar ekipin me lojtare të tjera cilësore.
Përforcime këto që do të bëhen në pikat ku skuadra ka më shumë nevojë, duke filluar nga porta dhe duke përfunduar në sulm. Numri 1 i kësaj skuadra ka studiuar prej kohësh të gjithë opsionet e mundshme për përforcimet dhe pritet tashmë vetëm konkretizimi i tyre. Sakaq, skuadra ka vijuar me përgatitjet e saj të cilat po i zhvillon çdo ditë në fushën sportive të Golemit.
Nga ana tjetër, prej javës së ardhshme me shumë mundësi do të nisë edhe grumbullimi i ekipit. Vllaznia në dy sezonet e fundit të Ligës së Kampioneve, ka bërë paraqitje shumë të mira dhe ka qenë shumë pranë kalimit të turit të parë. Në të dy këto edicione ka arritur të fitojë nga dy ndeshje në grup dhe ky është një tregues i rritjes së performancës së tij.
Sivjet ndërkohë, rivali kryesor i ekipit shkodran pritet të jetë kampionia e Lituanisë- Gintra. Një ekip ky shumë i mirë dhe për më tepër, luan në fushën e vet, çka është një plus më shumë për të që të kualifikohet për në turin tjetër. Jo pa pretendime është edhe kampionia e Irlandës, megjithatë Vllaznia nuk ka ndër mend të heqë dorë edhe nga ajo nga pretendimet për arritjen e suksesit historik, kalimin e turit të parë të këtij kompeticioni shumë të rëndësishëm europian.