Ekipi i Laçit po tregon një formë shumë të mirë në këto javë të kampionatit. Që pas ardhjes së Mirel Joses në krye të pankinës kurbinase, ata kanë treguar vetëm rritje. Me fitoren e fundit kundër Tiranës janë ngjitur në kuotën e 21 pikëve në vendin e 4-ët të renditjes.
Dora e trajnerit kryeqytetas është ndjerë menjëherë tek bardhezinjtë. Ai e ka drejtuar skuadrën në 8 ndeshje gjatë kësaj periudhe. Ku numëron 6 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Një rritje e jashtëzakonshme kjo e laçianëve që ters duket se kanë vetëm Vllazninë.
Skuadra shkodrane është një “makth” për Laçin në këtë sezon. Jo vetëm fitorja e ndeshjes së parë në shifrat 3-5 në Laç, por edhe fitorja e para pak javëve 1-0 e Vllaznisë me gol të Da Silvas. Kjo është edhe humbja e vetme e Joses në krye të Laçit gjatë kësaj periudhe ku ka drejtuar.
Laçi tashmë po shndërrohet në kundërshtarin e rrezikshëm që ka qenë gjithmonë në kampionat. Forma e tyre mbetet në rritje nga ndeshja në ndeshje dhe patjetër që ata do jenë një faktor në Superligë. Nuk i dihet ndoshta edhe të pretendojnë për titull kampion duke parë edhe ecurinë dhe cilësinë që kanë.
Endri CINARI