Vllaznia ka dalë sot me një njoftim të rëndësishëm në kuadër të masave organizative për ndeshjen me Universitatea Craiova, ndeshja e parë në Conference League, turi i dytë, e cila do të luhet të enjten në “Loro Borici”, ora 21:00. U është kërkuar tifozëve që të jenë dy orë para fillimit të ndeshjes në stadium, dhe në të njëjtën kohë bëhet me dije se biletat janë vetëm me një hyrje-dalje në ambjentet e stadiumit.
Shitja e biletave do të vijojë deri ditën e ndeshjes, ora 17:00, ndërsa që nga dita e nesërme ambjentet rreth stadiumit duhet të jenë të boshatisura, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, si masë paraprake për mbarëvajtjen e ndeshjes.
Njoftimi i klubit:
Në kuadrin e masave organizative për ndeshjen Vllaznia- Universitatea Craiova, KF Vllaznia ju bën të ditur se:
– Shitja e biletave do të vazhdojë deri ditën e enjte në ora 17.00. Pas këtij orari, për arsye të marrjes së masave të sigurisë, nuk do ketë më shitje biletash, prandaj të gjithë të interesuarit që duan të jenë të pranishëm në këtë ndeshje, të nxitojnë për t’i blerë ato.
– Për shkak të kontrollit të thelluar që do të ushtrohet nga policia e shtetit dhe kompania e security, kërkojmë nga ana juaj që të jeni në stadium të paktën dy orë para fillimit të ndeshjes. Dyert e stadiumit do të hapen në orën 18:00.
– Në përputhje me rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s, për të eliminuar sjelljet e gabuara dhe incidentet e tifozëve, ju njoftojmë se për tifozët biletat janë vetëm me njër hyrje- dalje nga ambjentet e stadiumit.
– Kërkojmë nga ana e qytetarëve shkodranë që të marrin masat për të mos parkuar automjetet e tyre në perimetrin e stadiumit duke filluar nga dita e nesërme (e mërkurë) sepse për arsye sigurie, e gjithë zona rreth e qark stadiumit do të jetë pa automjete.
– Ju faleminderit!