Vllaznia në futboll për femra do të rikthehet ditën e sotme në fushën e lojës për duelin e javës së pestë të kampionatit ndaj Partizanit. Kjo sfidë do të luhet në fushën “Reshit Rusi”, duke filluar nga ora 14:00 dhe do të transmetohet direkt në kanalin e FSHF në Youtube.

Skuadra kuqeblu, e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, e cila njëkohësisht me kampionatin, është e angazhuar edhe me ndeshjet e grupeve të UEFA Women Champions League, kryeson renditjen me 12-pikë të plota. Kujtojmë këtu se, vajzat kuqeblu vijnë në këtë sfidë pas fitores në javën e kaluar 0-6 ndaj Skënderbeut në Korçë.

Padyshim që, kjo është një ndeshje që skuadra kuqeblu e femrave është favorite kryesore për marrjen e tre pikëve, por gjithsesi mbetet për t’u parë se si do të reagojnë dy ekipet në këtë përballje.

Edhe për këtë sezon, synimi i vetëm i futbollisteve shkodrane është për të vijuar rrugën me objektivin e qartë dhe të vetëm, titullin e 10-të.

Në fakt, shkodranet kanë marrë katër fitore në katër sfida të luajtura. Prandaj, ato do të kërkojnë të sigurojnë një tjetër fitore ditën e sotme, pas atyre që morën në katër javët e para. Ndeshja Vllaznia-Partizani do të luhet ditën e sotme në fushën “Reshit Rusi”, duke nisur nga ora 14:00.
Maringlen ZHIVANI