Vllaznia do ketë ditën e premte një përballje me ekipin e Dinamos në kuadër të javës së 14-të. Kuqeblutë vijnë pas 4 fitoreve në 5 ndeshjet e fundit dhe gëzojnë një superformë. Ndërsa dinamovitët janë në një krizë totale pas 3 humbjeve rradhazi.

Kjo është një përballje që ka një histori shumë të pasur mes këtyre dy skuadrave. Por ky duel rikthehet në Superligë pas 9 vitesh mungesë. Kuqeblutë vizitojnë Dinamon pas ndeshjes së fundit që daton më 5.5.2012. Takim që ishte i vlefshëm në atë sezon që Dinamo u rrëzua nga kategoria për javën e 25-të të sezonit 2011-12.

Për herë të fundit Vllaznia fitonte në shifrat 0-3. Do vendosnin golat e mbrojtesit Sykaj, e malazezit Petroviç dhe 1 gol i mbrojtesit tjeter Gocaj. Që nga ajo periudhë ekipet kanë ndryshuar totalisht dhe patjetër që këto janë statistika që i përkasin së shkuarës.

Vllaznia ka udhëtuar për të luajtur kundër Dinamos edhe në sezonin 2018-19, por ndeshje e vlefshme për Kategorinë e Parë. Atë takim blutë fitonin me rezultatin 2-0. Tashmë ndeshja e rradhës do luhet në “Elbasan Arena” ku Vllaznia do kërkojë të vijojë me rezultatet pozitive e dinamovitët të dalin nga kriza ku janë futur prej javësh.
Endri ÇINARI