Pasditen e sotme në ambjentet e Bashkisë Shkodër pritet të organizohet një takim shumë i rëndësishëm sa i takon të ardhmes së Vllaznisë. Nga sa merret vesh, në zyrën e kryebashkiakes Ademi pritet të jenë të gjithë drejtuesit e klubit dhe pjestarët e stafit teknik me të cilët do të bisedohet për të ardhmen e kësaj skuadre. Në këtë takim do të mësohet përfundimisht e ardhmja e trajnerit Cungu teksa ai pritet t’i thotë “po” ofertës së drejuesve të klubit për të vazhduar projektin që ka nisur e po ashtu, do të bisedohet edhe për mënyrën si duhet ndërtuar skuadra për sezonin e ri, kush do jenë lojtarët që do largohen dhe ata që do të tentohet të ofrohen.

Fakti që në takim do të jetë edhe kryebashkiakja që “de fakto” është edhe presidentja e klubit, do të thotë se aty do të jepet edhe garancia financiare për të ardhmen. Në media të ndryshme qarkullojnë zëra për afrimin e donatorëve tek Vllaznia por nga sa merret vesh, nuk ka asnjë donator që është shprehur i gatshëm për të sponsorizuar në këtë klub. Kështu që të gjitha financat të cilat duhen për këtë sezon, do të përballohen vetëm nga Bashkia Shkodër. Të paktën kështu është deri më tani sepse rrugës mund të ketë edhe zhvillime të tjera. Megjithatë, e rëndësishme është që tek Vllaznia të ketë një projekt serioz dhe për këtë arsye Cungu duket thuajse i vendosur për të vazhduar. Gjithsesi, çdo gjë do të zyrtarizohet pasditen e sotme.