Paraditen e së premtes do të nisë stërvitjen edhe Vllaznia B. Ekipi i dytë i klubit shkodran siç dihet do të marrë pjesë në kategorinë e parë të futbollit shqiptar në sezonin e ri. Trajner i këtij ekipi do të jetë sërish Ervis Kraja. Ky i fundit në një intervistë për televizionin Rozafa ka bërë të ditur se baza e ekipit do të jetë kontigjenti i sezonit të kaluar ndërkohë që atij do t’i shtohen edhe disa elementë të ardhur nga ekipi U-19.

“Baza e ekipit do të jetë kontigjenti i sezonit të kaluar. Atyre do t’u shtohen edhe disa lojtarë të ardhur nga ekipi i të rinjve dhe po ashtu edhe disa lojtarë që për momentin nuk kanë gjetur hapësirë tek ekipi i parë. E rëndësishme është që të gjithë futbollistët që do të jenë pjesë e ekipit në sezonin e ri, duhet ta marrin seriozisht angazhimin me të. Kemi të bëjmë me një ekip profesionist dhe duhet të sillen si të tillë. Shembulli i Krujës, Hajdarit dhe ndonjë tjetri në sezonin e kaluar që duke luajtur me ekipin B, arritën të kapin formën dhe të bëhen më pas pjesë e ekipit të parë, duhet të vazhdojë edhe këtë sezon, madje më i theksuar”- është shprehur ai.I pyetur ndërkohë në lidhje me objektivat që do të ketë ky ekip, trajneri Kraja ka thënë se Vllaznia B do të pretendojë të jetë në mes ekipeve më të mira të këtij kampionati. “Objektivi jonë do të jetë i qartë: T’i shërbejmë ekipit të parë me sa më shumë lojtarë dhe po ashtu edhe vetë këtyre futbollistëve për të ardhmen e tyre. Njëkohësisht, të renditemi në mes pesë ekipeve më të mira të kampionatit. E rëndësishme është që Vllaznia B sivjet të mos trajtohet si një sezon më parë por ta marrin më seriozisht dhe besoj se në fund të gjithë do të jenë të kënaqur me ecurinë e saj”- ka shtuar trajneri Kraja.Kampionati i kategorisë së parë pritet të nisë një javë pas atij të Superligës, çka do të thotë rreth datës 16 shtator dhe natyrisht që Vllaznia B mendohet të prezantohet denjësisht edhe në këtë kategori.

© shkodrasport.com