Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Besëlidhja po konfirmon formën e mirë në fazën përgatitore, teksa vazhdon të përballet denjësisht me skuadra të Abissnet Superiore. Pas paraqitjeve bindëse në miqësoret e mëparshme, ekipi lezhjan ka marrë një tjetër rezultat pozitiv, duke barazuar 1-1 ndaj Vorës.
Skuadra e drejtuar nga Elvis Plori zhvilloi një ndeshje me ritëm të lartë dhe tregoi edhe një herë se është në rrugën e duhur përpara rikthimit në Kategorinë e Parë. Besëlidhja kaloi e para në avantazh falë golit të sulmuesit Akansase në pjesën e parë, duke mbyllur 45 minutat e para në epërsi.
Në nisje të pjesës së dytë, Vora vendosi ekuilibrin me golin e Briajan Gjylës, ndërsa minutat e mbetura nuk prodhuan gola të tjerë, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat. Ky është një tjetër test pozitiv për Besëlidhjen, e cila po dëshmon se mund të rivalizojë pa komplekse edhe me ekipe të elitës së futbollit shqiptar.
Barazimi ndaj Vorës i shtohet rezultateve inkurajuese të verës dhe rrit besimin në kampin lezhjan se skuadra po fiton formën e duhur për sezonin e ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


