Shkruar nga Endri ÇINARI
Një tjetër futbollist i Shirokës ka vendosur të mbyllë zyrtarisht aventurën e tij me skuadrën blu. Bëhet fjalë për mesfushorin e krahut Anderson Filipi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka konfirmuar ndarjen me klubin, duke falënderuar drejtuesit, stafin dhe tifozët për periudhën e kaluar së bashku. Një largim që tashmë ishte pritur, por që tashmë është bërë edhe zyrtar nga vetë lojtari.
Ndërkohë, sipas asaj që mëson gazeta, e ardhmja e Filipit do të jetë te Basania. Mesfushori pritet të veshë fanellën e ekipit shkodran në sezonin e ri, duke u konsideruar si një nga përforcimet më cilësore të merkatos për skuadrën e drejtuar nga trajneri Arbër Shytani. Me cilësitë e tij në krah dhe eksperiencën e fituar në vitet e fundit, ai pritet të sjellë më shumë alternativë dhe cilësi në repartin ofensiv të Basanias.
Filipi vjen pas një sezoni pozitiv me Shirokën, ku ishte një nga elementët që dha kontribut të rëndësishëm në ecurinë e skuadrës. Shpejtësia, aftësia në situatat një kundër një janë karakteristikat që e kanë shoqëruar gjatë karrierës së tij dhe që tashmë pritet t’i vihen në shërbim të objektivave të klubit të ri.
Përpara eksperiencës me Shirokën, Anderson Filipi ka qenë pjesë edhe e Tërbunit, ndërsa hapat e parë në futboll i ka hedhur në akademinë e Vllaznisë. Pikërisht formimi te kuqeblutë i ka shërbyer si bazë për të ndërtuar karrierën e tij, ndërsa tashmë ai është gati për një sfidë të re me Basanian, ku synon të konfirmojë edhe një herë vlerat e tij me ekipin bushatas.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


