Ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë e ka nisur me humbje kampionatin. Në ndeshjen e javës së parë, atë të luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, vajzat shkodrane janë mundur 0-3 nga Teuta vendase. Seti i parë i ndeshjes ka fiksuar shifrat 25-13 dhe po këto shifra edhe seti i dytë ndërsa në të tretin kemi njëfarë përmirësimi të lojës së tyre dhe për rrjedhojë fiksohet rezultati 25-15. Një humbje e tillë sigurisht që ka qenë e pritshme ngaqë diferencat mes dy ekipeve janë të mëdha si në përbërje ashtu edhe në financa.
E rëndësishme është që Vllaznia të bëjë më të mirën e saj në çdo ndeshjet me vajzat që ka në dispozicion dhe që shumica janë shumë të reja në moshë. Trajneria Sadije Gogaj ka bërë një punë të mirë me to dhe normalisht pretendon të zërë një vend sa më të mirë në renditje.
www.shkodrasport.com