Analizë nga Redan BUSHATI

Edhe java e 5-të e Kategorisë Superiore paraqitet interesante, me ndeshje të forta dhe të paparashikueshme. Megjithatë, dy janë sfidat më qendrore të kësaj jave: Teuta-Flamurtari dhe Tirana-Besa. Në “Niko Dovana” luhet një ndeshje, ku të dy ekipet kërkojnë me ngulm fitoren, si alternativë të vetme. Barazimi, edhe pse rruga e kampionatit është e gjatë dhe, në fund kur bëhet bilanci dhe mbyllet gjithçka, çdo pikë ka rëndësinë e peshën e vet, nuk i hyn në punë as njërës, as tjetrës. Madje, ndeshja e mbyllur në “x” do të hapte telashe jo të vogla si brenda kampit durrsak, ashtu edhe brenda atij vlonjat. “Djemtë e Detit” kanë tre javë radhazi, që nuk e njohin shijen e fitores: dy humbje në transfertë dhe një barazim në shtëpi janë shumë pak për nënkampionët në fuqi të vendit. Ndërkaq, Flamurtari, pas atij barazimi me Shkumbinin dhe -5 pikë larg kreut, kërkon pikët e plota në këtë ndeshje, si të vetmen «barkë» shpëtimi për daljen nga kjo situatë e papërshtatshme, për një ekip që ka shpenzuar aq shumë, e që aq pak po justifikon në fushën e lojës. Milionat e hedhura nga drejtuesit e Flamurtarit për llogari të lojtarëve e stafit drejtues kanë ngrohur xhepat e tyre, tashmë duhet të jenë këto të fundit që duhet të reagojnë me dinjitet dhe të ngrohin ambientin vlonjat, ngrohje e cila kalon përmes trepikëshit të Durrësit. Ndryshe, Flamurtari është në krizë, një krizë e cila nuk mund ta çojë drejt titullit kampion, që aq shumë e dëshirojnë në Vlorë.
Ndeshja mes Tiranës dhe Besës pritet të ketë interes të veçantë edhe në shkallët e stadiumit. “Fanatics” dhe “Furia VerdheZi” pritet të përcjellin një atmosferë festive nga shkallët e stadiumit «Selman Stërmasi». Bardheblutë vijnë nga një ecuri tejet pozitive në kampionat: në 4 ndeshje, 3 fitore dhe 1 barazim. Një fitore e mundshme me kavajasit i rrit psikologjikisht djemtë e “Tushes”, të cilët mund të shkojnë të qetë në javën e 6-të, në transfertën e vështirë të Vlorës. Sakaq, Besa edhe pse ka zhvilluar lojëra të pëlqyeshme dhe për t’u marrë në konsideratë, në dy ndeshjet e luajtura në transfertë ka korrur veç një pikë. Pas përballjes me 24 herë kampionët e vendit, verdhezinjtë do të ndeshen, sërish një javë më pas, në transfertë, përballë Luftëtarit në Gjirokastër. Prandaj, performanca ndaj Tiranës dhe ecuria pozitive e kavajasve në këtë ndeshje këndellen të besuarit e Dajës për sfidën e ardhshme.
Nga ndeshjet e tjera, me rëndësi të veçantë është sfida, që do të luhet në “Adush Muça”. Ballshiotët rikthehen, pas rikonstruksionit të stadiumit, në fushën e tyre. Të besuarit e Agim Canajt, edhe pse në sfidat e deritanishme kanë luajtur, kryesisht, mjaft mirë, fati dhe rezultatet u kanë munguar së tepërmi. Megjithatë, mallakastriotët kanë dëshmuar se janë kockë e pathyeshme në shtëpi. Ndërkaq, kuqeblutë e Vllaznisë duhet të mendohen mirë përpara se të zbresin në fushën e blertë. Një hap tjetër fals, sigurisht do të irritojë në masë tifozerinë e zjarrtë shkodrane, e vështirë se mund të kalohet kësaj radhe pa ndëshkime kolektive, pasi nuk mund të tolerohet më tej, kur dihet se çfarë peshe ka fanella kuq e blu.
Ndeshja mes veriorëve, Laçi-Kukësi, pas humbjes së bardhezinjve dhe fitores së verilindorëve, pritet me kërshëri nga të dyja palët. Morali i miqve është më lart, pasi vijnë nga një fitore; por forca e grupit dhe pathyeshmëria brenda fushës së tyre i bën vendasit, së paku në dukje të parë, të jenë favorit për të vjelur trepikëshin.
Në Peqin rikthehet tifozeria vendase për të ndjekur ekipin e zemrës në përballjen me krutanët. Edhe pse ndeshjet e deritanishme të superiores tregojnë se nuk ka të lehta në letër, gjithsesi Shkumbini është favoriti kryesor për të fituar sfidën ndaj Kastriotit. Shtoi faktin, që bardhekaltërit vijnë nga një fitore dhe barazim në dy ndeshjet e fundit, e për më tepër që nga fusha e tyre “o dalin të “vdekur” ose nuk dalin pa pikë”. Sakaq, Kastrioti edhe pse ka fituar në ndeshjen e fundit në fushën e vet, nuk ka bindur me lojë.
Bardhejeshilët e Ernest Gjokës, pas barazimit me vlerë fitoren të arritur në Shkodër, në fushën e tyre presin Luftëtarin, i cili ka dy ndeshje radhazi që njeh vetëm humbjen. Kështu që drejtuesit bluzinj vështirë të kapërdijnë pa ndëshkime humbjen e tretë radhazi. Prandaj, lufta në fushë pritet të jetë e ashpër, brenda kuadrit sportiv. Nga ana tjetër, Apolonia, për të siguruar mbijetesën ose diçka edhe më tutje, duhet të fitojë çdo ndeshje në shtëpi, sidomos me ekipet, të ashtuquajtura, të vogla. Apolonia në dy javë rresht pret në shtëpi Luftëtarin, e më pas Bylisin. Rast i volitshëm për të grumbulluar pikët e plota.
Ekipi që pritet ta ketë më të lehtë përballjen e kësaj jave është Skënderbeu, i cili luan në Berat ndaj vendasve të Tomorit. Për të vazhduar kryesimin, korçarëve u duhet të kalojnë Osumin pa u lagur, e më pas të turren drejt “kalasë”, derisa ta pushtojnë dhe të ikin nga aty ngadhënjimtar, me tre pikë në xhep. Me ushtarë vendas dhe mercenar, a thua beratasit do ta lëshojnë pa rezistencë «kalanë» e tyre historike? Për këto dhe më tepër, ftojmë të ndiqni javën e 5-të të Superligës Shqiptare.