Volejbollistet shkodrane nuk kanë mundur të marrin asnjë set dhe jo më të fitojnë në ndeshjen e rradhës, atë që kanë zhvilluar mesditën e sotme në Rrëshen ndaj Minatorit vendas. Vllaznia është mundur 0-3 megjithatë ka vazhduar ta mbajë vendin e tetë në renditje. Pikërisht atë vend që e çon atë në fazën tjetër të kampionatit. Vajzat e trajneres Sadije Gogaj vetëm në pjesën e parë kanë mundur të rivalizojnë disi teksa e kanë humbur atë në shifrat 17-25. Në të dytin, epërsia e vajzave mirëditore ka qenë e madhe teksa ata e kanë fituar këtë set në shifrat 25-8.
Në të tretin ndërkohë është fiksuar rezultati 25-14 dhe krejt ndeshja ka përfunduar me rezultatin 3-0 për Minatorin. Vllaznia në këtë mënyrë, ka treguar edhe në këtë kampionat sërish të njëjtat probleme si në kampionatin e kaluar teksa mungon eksperienca e vajzave dhe për më tepër, kontigjenti i sportisteve është shumë i reduktuar. Megjithatë, lënia poshtë e dy ekipeve të tjera, është njëfarë suksesi për këtë ekip sepse ai nuk ka patur pretendime të tjera këtë sezon.
www.shkodrasport.com