Vllaznia do të luajë ndaj Laçit në transfertë këtë fundjavë. Ditën e hënë, skuadra shkodrane ka nisur përgatitjet për takimin ndaj Laçit, që do të luhet në transfertë të dielën në orën 13:45.

Trajneri Thomas Brdariç, gjatë këtyre ditëve në seancat stërvitore, ka kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët, për të lënë pas festimet e fitores së fundit ndaj Kastriotit. Për këtë ndeshje, mungesë e sigurt për trajnerin Brdariç do të jetë qendërmbrojtësi Mevlan Adili, i cili u ndëshkua me karton të kuq ndaj Kastriotit.

Mirëpo, rikthehet braziliani Victor Da Silva, i cili ka shlyer pezullimin me kartonë. Poashtu, me rikthimin në stërvitje, pritet që edhe Fallou Diagne të jetë në dispozicion të trajnerit Brdariç, teksa mund të formojë dyshen e mbrojtjes me Bulatoviç.

Kështu, përveç Adilit dhe mesfushorit Ardit Hoxhaj, që do të mungojnë ndaj Laçit, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është e plotë, teksa nuk ka as lojtarë të dëmtuar dhe as të pezulluar me kartonë.

Interesant është fakti se shkodranët luajnë në një fushë, ku kanë marrë fitoren e fundit në transfertë. Fitorja e fundit e Vllaznisë në Laç daton më 11 shtator 2021 me shifrat 3-5, në atë fillim sezoni, ku vendosnin golat e Latifit, Da Silvës, Aralicës, Gurishtës dhe Kaina. /Maringlen ZHIVANI/