Ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznia ka arritur edhe fitoren e dytë në kampionat. Pasditen e sotme ai ka luajtur në Korçë ndaj Skënderbeut vendas dhe ka fituar ndaj tij me rezultatin 75-63. Të shtunën po në këtë qytet dhe po ndaj këtij kundërshtari kishte fituar edhe ekipi i vajzave të Vllaznisë. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe djemtë sot. Siç na njofton trajneri Bledar Gjeçaj nga Korça, ekipi i tij e ka dominuar ndeshjen që nga fillimi. Ai e ka fituar periodën e parë në shifrat 18-13, ndërsa shifrat janë thelluar shumë në të dytën që është fituar nga Vllaznia 25-13. Me epërsinë në këto dy perioda u krijua bindja se shkodranët do ta kishin të lehtë fitoren dhe kjo në fakt u vërtetua paçka se perioda e tretë është fituar nga korçarët në shifrat 20-13. Megjithatë, gjërat nuk kanë marrë rrjedhë tjetër. Vllaznia e ka ruajtur avantazhin, ka fituar edhe periodën e katërt në shifrat 19-17 dhe në këtë mënyrë me 12 pikë epërsi, ajo ka fituar krejt ndeshjen duke marrë kësisoj fitoren e dytë në po aq ndeshje kampionati të luajtura. Një nisje e tillë tregon se ajo do jetë një nga ekipet pretendente për titullin kampion megjithatë duhet parë reagimi i saj në përballjet direkte me rivalet e saj.
www.shkodrasport.com