Largimi nga Lacio nuk do të thotë detyrimisht largim nga Seria A për Thomas Strakoshën. Portieri kuqezi, edhe pse doli jashtë planeve të klubit bardhekaltër në vitin e fundit, ka shumë admirues në Itali dhe klube të ndryshme janë të gatshmë të përfitojnë nga kjo mundësi që u është shfaqur për të siguruar firmën e 26-vjeçarit shqiptar.

Në ditët e kaluara u fol për një interes konkret të Bolonjës për gardianin kuqezi, meqë klubi do të largojë Skorupskin gjatë verës. Por tashmë Bolonja duhet të përgatitet për rivalitet më të ndezur, pasi në Itali shohin edhe një skuadër me emër si Torino që interesohet konkretisht për të.

Torino ka afruar Nikola Juriç si trajner në këtë edicion, pasi synon që të kthehet përsëri një skuadër me pretendime në kampionat, të paktën sa i përket pozicionimit në një vend që garanton pjesëmarrjen në Europë.

Trajneri ka në planin e kërkesave të tij edhe përforcimin e katërkëndorit për një cikël të ri e kështu, klubi po mendon afrimin e një portieri me moshë të re, por edhe me cilësi të provuara në elitë. Emri i Strakoshës duket si profili i duhur dhe mediat italiane raportojnë se torinezët janë gati të bëjnë investime të rëndësishme për të siguruar firmën e portierit shqiptar. /vipsport/