Thomas Brdariç nuk ka pritur zyrtarizimin nga klubi i Vllaznisë të zgjatjes së bashkëpunimit mes palëve për një tjetër vit, teksa ka zgjedhur që të konfirmojë publikisht qëndrimin e tij në Shkodër edhe për sezonin e ri. Trajneri gjerman ishte larguar nga Shqipëria mes dilemash, nëse do të vazhdonte apo jo në klubin kuqeblu.

Por me kthimin në vendin tonë, duket se edhe gjërat janë qartësuar mes palëve dhe pas një takimi me sponsorin Alban Xhaferi, tekniku ka zgjedhur rrjetet sociale për të qetësuar përfundimisht tifozët shkodranë rreth të ardhmes së tij.

“Në rregull për vazhdimin e sezonit 2021-2022. I lumtur që vazhdoj me Vllazninë tonë në këtë sfidë të re.

Faleminderit Alban Xhaferi për besimin”, shkruante Brdariç në postimin e tij, duke bërë të qartë se tani do të niste punën me lojtarët që do të përballonin pjesëmarrjen në Europë, por edhe edicionin e ardhshëm në Superiore. /vipsport/