Vllaznia në volejboll për meshkuj ka arritur një fitore shumë të rëndësishme ndaj Teutës me rezultatin 3-1. Ndeshja ka qenë e vlefshme për javën e 15-të të kampionatit dhe është luajtur pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Gjatë të katër seteve të këtij takimi ka patur një rivalitet shumë të fortë në mes dy ekipeve. Ajo është parë qartë sidomos në setin e parë të fituar nga Vllaznia vetëm në shtesë me rezultatin 28 me 26.

Kjo gjë ka vazhduar edhe në të dytin të fituar sërish nga kuqeblutë e trajnerit Artan Kalaja me rezultatin 25 me 22. Pas fitimit të këtij seti, u duk se durrsakët u dorëzuan por jo. Në setin e tretë ata luajnë më mirë dhe arrijnë ta fitojnë atë me rezultatin 25 me 21. Kaq do mjaftonte që të mendohej se ndeshja do hapej por nuk mendojnë kështu vendasit. Në setin e katërt dhe të fundit të kësaj ndeshje, ata e mposhtin kundërshtarin në të gjitha drejtimet dhe e fitojnë në fund me rezultatin e pastër 25 me 13. Me fitimin e këtij seti do të mbyllej edhe krejt ndeshja në shifrat e seteve 3-1 për Vllazninë. Me fitoren e djeshme, ajo do të ngjitej në kuotën e 21 pikëve duke forcuar pozitat për vendin e katërt në renditje megjithatë objektivi I kësaj skuadre për momentin është zënia e vendit të tretë që mbahet aktualisht nga Teuta me 4 pikë më shumë. Luajtja e ndeshjeve tashmë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” por edhe zhvillimi I një procesi stërvitor normal në të, do jenë një arsye më tepër për arritjen e këtij objektivi për volejbollistët shkodranë.

© shkodrasport.com